Wednesday, February 21

Xharra: Ndotje të ajrit ka pasur edhe në kohën e ilirëve

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ka kohë që po i mungon skenës me analizat e tij gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale dhe ndërlidhjes së tyre me të kaluarën e afërt e të largët të popullit shqiptar. Por, gjithologu Fahri Xharra është shfaqur në publik në momentin kritik për popullin më të lashtë në botë, atëherë kur thuajse po i zihej fryma nga ajri ndotur.

Fahri Xharra ka komentuar ndotjen e ajrit në Prishtinë, e cila ditëve të fundit ka arritur shkallë alarmante, duke thënë se kjo në mesin e pasardhësve të pellazgo-ilirëve, nuk është diçka e re.

Më poshtë studimi i plotë i Fahri Xharrës për këtë çështje:

Rreth vitit 400 p.e.r. fiset ilire donin të ia nxirrnin sytë njëri-tjetrit. Pas konfrontimeve të shumta mes tyre, disa fise u shtyren në zonat alpine e disa ngelen nëpër lugina. Dyndjet e tilla ishin tejet domethënëse, pasi që ata që u vendosen në zonat alpine shijonin ajrin e pastër dhe jetonin me gjatë, kurse ata që mbeten poshtë përballeshin me ajrin e ndotur.

Hulumtimet arkeologjike, veçanërisht në luginat e poshtme të Ilirisë së dikurshme, tregojnë ëse ka pasur një qytetërim të fuqishëm në këtë zonë. Përderisa fiset ilire që u vendosen zonave alpine qarkullonin në këmbë dhe me mjete transporti me kafshë, ilirët luginas përdornin veturat e njohura të markës “Opellicium”, paraardhës të Opelit të sotëm.

Këto vetura thuhet se kanë qenë që në atë kohë ndotës të mëdhënj të ajrit, marrë parasysh se edhe karburantet që përdoreshin ishin vendore dhe të cilësisë së dobët, pasi që në atë kohë ilirët përgjithësisht ishin në armiqësi me romakët, për çfarë nuk mund të bënin as tregti mes vete.

Ndotjen e ajrit asokohe e dëshmojnë edhe fosilet e “duçave të cigares”, të gjetura nëpër parqet e atëhershme. Mësohet se fiset ilire që kanë jetuar në luginat e Ilirisë antike, kanë jetuar edhe më shkurtër për shkak të konsumimit të cigares për dallim nga vëllëzërit e tyre në zonat alpine, të cilët cigaret i kishin zëvendësuar me qumësht dhe kos të lopëve, dhive, deleve dhe bullicave.

Në atë kohë, sado në numër të vogël, veturat “Opellicium” ishin ndotësit më të mëdhënj të ajrit, dhe pas tyre ishin cigaret që piheshin masivisht, të cilat ishin të llojit “Lucky Struckus”, paraardhëse të cigares së sotme “Lucky Strike”.

Një ndotës tjetër, i cili shkaktonte ndotje jokonstante, ishte edhe automekaniku i njohur i asaj kohe, Sahit Iliria, i cili atëbotë njihej si “Sahit Gumica” ose “Sahit mekaniku”. Ai ishte mjeshtër i veturave të kohës dhe një herë në muaj i asgjësonte gomat e papërdorëshme të veturave “Opellicium”, duke i djegur dhe shkaktuar tym të zi.

Prandaj, me gjithë problemet me ajrin, ilirët ia dolën të mbijetojnë dhe ja ku jemi sot ne, shqiptarët, pasardhësit e tyre. Edhe ne do të ia dalim dhe do të mbijetojmë pavarësisht ndryshimeve në çdo shtresë të atmosferës.

Share.