Sunday, July 23

Tutë nga frika!

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +
Shkruan: Xhevdet Fetahaj-Jeffy
“Tuta hanë dardha të buta”, paskësh qenë e vërtetë qysh në fillet e krijimit të njerëzimit, e lëre më sot, në ditët kur njeriu nuk ka të bëjë shumë me njeriun, por faktin njohës e ka vetëm pasqyrën, qoftë kur lanë sytë në mëngjes pas “derdhjes së ujit” apo kur fryn qurrat nga maskarallëku që ia ka mbushur hundët.
Shpjegimit fiziologjik e pediatrik të telashit politik i doli zot “frika”, duke cituar një thënie të pleqve pajtues, të cilët pas shumë tentimesh e njëkohësisht dështimesh në ndërmjetësim palës trutharë me “tru në barkë” i drejtoheshin: “Që s’merr vesh s’merr, se nuk din me marrë vesh…, e tash kallxo naj trohë burrni e ‘mos e dhi punën’, që e kemi ba dej qitash”.
Edhe pse pala me “tru në bark” disi me zor e jepte fjalën, tutë e madhe ishte se çfarë do të vinte më pas nga frika, ngaqë fjala e dhënë më nuk kishte peshë, sepse aq shumë ishin thënë e dhënë fjalë, saqë menjëherë ishin shfaqur lakmitarët në bajraktarizëm, të cilët nuk pretendonin më shumë se sa një vend pranë oxhakut dhe një qyrk të ri. Pavarësisht synimit të vendit tek oxhaku, ata harronin se kishin ngjyer në lëngun me hudhër e nuk i kishin larë këmbët e as zbathur çorapet zhgjyrç nga ecjet pa kontroll me opingat e vjetra të lidhura me sixhim.
Si do të prisnin fjalë të mençura prej atyre pretendentëve për të dalë në ballë të oxhakut, kur u vinte era hudhër e këmbët u qelbeshin…
Të zënë ngushtë e pa rrugëdalje, sepse burrat nuk do t’i duronin sebepi i erës së keqe, ata kërkuan mendimin e një plaku të moçëm, i cili ua tha troç: “N’kofse ia keni msy me dalë n’krye t’oxhakut e xhinja nuk ju durojnë puna e erës. Osht’ shumë kollaj – lanu”.
Duke qenë se në Kosovë pasluftës është e themeluar Shoqata e Burrave Fjalëbartës “Gratë e këqija”, të cilës veçse i ndërrohen kryetarët, çështja e të larit përbën problem, sepse askush nuk e di se çfarë preparatesh duhet përdorur për t’u larë ata. Skeptikët edhe mund ta propozojnë ujin si larës e shpëlarës, pa pyetur nëse i lanë të palarët nga të palarat?
Të tutur nga frika sesi do të lahen, të paktën do ketë gëzim për njërën prej duarve të tyre, ngaqë më nuk do ta përdorin pocërken, por tushin me ujë të valuar, bile valë të nxehtë.
Frikë nga tuta
“Kryezoti i Unazave” i gjendur nga ngushtë nga të vërtetat që thuheshin për të urdhëroi njërin prej këshilltarët që ta vriste zogun. Meqë këtij këshilltari i ishin bërë tebdil këngët për “zogun” nuk dinte se ku ta gjente një zog që mund të vritej. Duke e parë se këshilltari nuk ia kishte haberin se për çfarë e kishin urdhëruar, një këshilltar i tha duhet “Të vrasësh zogun përqeshës”. Këshilltari si këshilltar që ishte nga kureshtja pyeti se çfarë do të ndodhte pas gjithë kësaj, ndërsa këshilltari i mesëm, jo për kah dija, por mosha i tha që të bënte punë pa e marrë vesh “Shtëpia dhe Bota”. E këshilltari si këshilltar që ishte pyeti nëse duhej ndjekur “Rruga e Hitchhikerit në Galaksi”, por edhe për këtë ai mori përgjigje nga një tjetër këshilltar, i cili i tha se po ta bënte këtë do t’i duheshin “Një mijë e një net”. Këshilltari ynë i përballur me “Zhgënjimet e të riut Werther”, ngase nuk dinte kah t’ia mbante i ftoi për kafe të gjithë “Fëmijët e mesnatës” me të cilët e luante lojën “Kallajxhiu, rrobaqepësi, ushtari, spiuni” . Pas kafesë atyre u duhej të ktheheshin te “Ferma e Ftohtë”, sepse të madhit fare duhej lexuar “Përralla e Genjit” dhe atë pa gabime, sepse lirshëm mund të futeshin “Nën rrjetë”.
“Blloku i artë i shënimeve” ishte fletorja që mbante në dorë këshilltari më i vjetër në moshë “Eugjen Onjegini”. Ai këtë fletore e mbante me vete edhe kur dilte “Në rrugë”, bile edhe atëherë kur ftohej në kafene nga “Xha Gorioi”. Këshilltari plak gjithmonë insistonte se duhej ditur se si të dallohen “E kuqja dhe e zeza” edhe nëse je duke pirë kafe me “Tre musketjerët” në “Germinal”. Bile aq i mençur ishte sa në takimin e radhës u tha miqve se nuk duhet joshur nga “I huaji” me pseudonimin “Emri i trëndafilit” edhe nëse shoqërohej nga “Oskar dhe Lusinda”. Takimi me të tjerët, thoshte këshilltari plak, është si “Deti i gjerë i Sargasos”, në të cilin po u fute do t’i përjetosh “Aventurat e Lizës në Botën e Çudirave”, apo më e keqja mund edhe të gjendesh në kurthin “Kapja-22” dhe pastaj të fillojë “Procesi” nga “Cider me Rozin”, të cilët tërë kohës ishin “Në pritje të Mahatmas”. Këshilltari plak, si plak që ishte, ua bënte me dije miqve se nuk vinte “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, pavarësisht se po hanin “Darkë në restorantin e vendlindjes”. Të vjetër po në moshë, por jo edhe në zemër, valltarët me xhingla sikur i joshnin që të jetohej në realitet “Ëndrra e dhomës së kuqe” larg nga “Leopardi”. Të ndrydhur nga dëshira dhe frika se mos koriten, ngaqë ia kishin dertin moshës, dolën nga aty dhe vazhduan rrugën për më shtëpitë e tyre pa menduar “Nëse në një natë dimri një udhëtar” do të pësonte nga “Përplasja” apo nga një “Një hark në lumë”, i cili do të ishte “Krim dhe ndëshkim” që do të zgjidhej vetëm nga “Dr Zhivago” ose edhe nga e famshmja “Triologjia e Kairos”. Këshilltarët pretendentë të shkolluar nëpër kolegje private do të mendonin se ky është “Rasti i çuditshëm i Dr Xhekill dhe Z. Hyde” apo edhe do të thoshin se të gjitha këto janë “Përralla me lugatë”, sepse mund t’i lodhin “Udhëtimet e Guliverit”. Njëri që thoshte se shkollën nuk e kishte mbaruar me para u tha këshilltarëve tjerë “Emri im është e kuqja”. I zënë ngushtë nga xhelozia këshilltari tjetër i tha se do t’i kalonte “Njëqind vjet vetmi” në “Fushat e Londrës” duke e ndjekur nga pas “Detektivët e egër”, të cilëve, sipas tij, nuk u pëlqen aspak “Loja e perlave prej qelqi” e as zhurma nga “Daullja e llamarintë” në lokacionin “Austerlitz”. Për ta çmendur më shumë atë, këshilltarët e tjerë i thanë se aty nuk do të mund të vizitohej nga “Lolita”, sepse jeta e saj ishte si “Përralla e bërë me duar” edhe pse ndiqet hap pas hapi nga “Gjahtari në thekërishte”. Ata i thanë atij se atje e priste “Bota e krimit të organizuar”, kapotë e të cilës edhe po t’i thonë “I dashur” do ta çojnë te “Vilet e zemërimit” në të cilat nuk do të shpëtohet dot nga “Thuaji malit” e as që do t’i ofrohet “Lehtësia e padurueshme e të qënit”, sepse aty si fantazmë është e pranishme “Rinia e zonjushë Zhan Brodi” e tradhtuar nga i famshmi “The voyeur” me të vetmin qëllim që ajo të pëlciste nga “Neveria”. Atij i thanë se aty mund të shëtiste “Lepuri”, por jo edhe dikush nga “Aventurat e Hakëlbërri Fin”. Po ashtu mund të shëtiste edhe “Laroja e Baskervilles” nëse atë do ta çonin te “Shtëpia e Mirth” në të cilën “Gjërat thyhen” nga “Getsbi i Madh”, i cili është “Kujdestari” aty ku jetojnë “Të mjerët”. Edhe pse i lemerisur nga ajo çfarë po dëgjonte, atij sikur iu kthye shpresa kur i thanë se mund ta çonin edhe te “Xhimi fatlum”, i cili vuan nga “Gjumi i madh”, por të cilin gjithmonë ia prishë “Clarissa” që bën “Vallëzim me muzikën e kohës” në “Suite Francaise”. Sërish i frikësuar se mund t’i ndodhë “Shlyerja” meqë “Jeta: një përdorim manual” nuk është thënë nga “Tom Jones” e as nga
“Frankenshtajn”, të cilët nuk kanë jetuar kurrë në “Cranford”, ai tha se kishte shpresë te “Guri i Hënës”, i cili ishte hedhur nga “Uliksi” i ndihmuar nga “Zonja Bovari”, që ishte kthyer nga “Një udhëtim në Indi” në vitin “1984”. “Tristram Shandy” ishte konstatimi i kolegëve këshilltarë, të cilët meqë ishin të dijshëm i thanë që të këtë kujdes nga “Lufta e Botëve”, sepse mund ta pësonte një “Scoop” nga “Tesi i d’Erbërvilëve” nëse gjithmonë do ta çonin në “Brighton Rock”, vend i mbrojtur nga “Kodi i Wooster-ve”. Për ta tmerruar edhe më shumë atij i thanë se ka frikë se mund ta çojnë edhe në “Lartësitë e stuhishme”, të cilat deri më sot nuk i kanë kaluar as “David Koperfild” e as “Robinson Kruzo”, sepse ishin të brumosur me “Krenari dhe paragjykim”, njëjtë si “Don Kishoti i Mançes”, të cilin “Zonja Dalloway” dhe “Xhejn Ejr” pa fije “Turpi” kishin deklaruar se kurrë nuk i kishin takuar.
Përfundimisht këtij këshilltarit, që thoshte se nuk e kishte kryer shkollën me para, i thanë se do të ngelej “Ne kërkim të kohës së humbur” atje ku “Zemrat e errësirës” ushqehen me gjak nga “Portreti i gruas”, por jo nga “Ana Karenina” e as “Moby-Dick”, të cilëve si këshilltarit dhe këshilltarëve mund t’iu shkojë jetë “Mes Marsi”.
“Tuta hanë dardha të buta” është thënia që vlen edhe për trutharët me “tru në barkë”: “Që s’marrin vesh se nuk din me marrë vesh…”, prandaj duhet ta “kallxojnë naj trohë burrni e ‘mos ta dhinë punën’, që e kemi ba dej qitash”, sepse sërish e si gjithmonë na kërcënon “Dimri i vetmisë së madhe” apo mos e dhëntë i madhi Zot që të sundohemi nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”!
© Epoka e re (gazeta me e guximshme shqiptare) & Xhevdeti a.k.a. Jeffy (opinionisti më i guximshëm shqiptar dhe internacional). Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Share.