Mbrëmë në adresë të portalit të pavarur PamPress erdhën një varg akuzash nga një uebsajt, pronë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

I ashtuquajturi portal, Gazeta Express, akuzoi rëndë portalin tonë për anime politike, përkatësisht për mbështetje të Vetëvendosjes, duke përfituar nga rasti i arrestimit të Haradinajt për ta përlyer integritetin etik e profesional të portalit PamPress.

Ky portal në tentativë për të qenë satirik, dhe së paku me letra pronë e poteraxhisë së njohur, Berat Buzhala, është duke e shfrytëzuar që dje rastin e arrestimit të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të marrë klikime sa më shumë që është e mundur, duke publikuar lajme pa kontroll në përmbajtje dhe duke u shtirur se kinse brengoset për fatin e ish-komandantit Haradinaj.

Portali PamPress do ta kishte marrë akuzën me seriozitet poqëse do të vinte, ta zëmë, nga një portal tjetër vendas që bën gazetari, por jo nga një uebsajt i fraksionit të Veselit brenda PDK-së, që në 90 për qind të përmbajtjes ka pornografi perverse dhe në 10 për qind propagandë politike e shpifje ndaj kundërshtarëve politikë të partisë.

Natyrisht, qëllimi i Veselit është përlyerja e të gjithëve për ta arsyetuar përlyerjen e portalit të tij. Por, portali PamPress nuk bie në grackat filloreske të tij e zyrtarëve të partisë së tij që i ka angazhuar në këtë portal dhe disa të tjerë, siç janë Buzhala e Kërquki.

Dihet se deri tani, kjo e vetëquajtur gazetë, klikimet i ka siguruar kryesisht nga mediatizimi i banaliteteve më të mëdha në shoqëri, që çdo psikolog do t’i cilësonte si raste për trajtim.

Në fakt, kjo gazetë që formalisht në krye ka Buzhalën, s’ka me se të mburret, përveç klikimeve, të cilat, edhe ashtu, në rrethin gazetaresk, të njohur për stafin e PamPress, merren për tallje kur Buzhala e i përkëdheluri i tij, Kërquki, ritheksojnë se kanë klikime më së shumti në Ballkan (së shpejti në Gadishullin Apenin) – madje më shumë se Google. Përshkrimi i Kërqukit në Facebook për vendin e punës me një anglishte afrikane tregon më shumë se ç’na duhet për këta këndesë dërrzhave.

Sigurisht se kjo mendjelehtësi e mburravecëri fëmijërore e këtyre dy palaqove të vetëquajtur gazetarë, prototipë të “mashtruesve të mëhallës”, do të mbahet mend për gjatë, ndoshta si hajgarja shekullore.

Natyrisht, dy të sipërpërmendurit tregohen të sinqertë kur nuk pretendojnë e as nuk mësyjnë të thonë se bëjnë gazetari. Drejtuesit e kësaj gazete suksesin e masin me klikime, për të cilat gënjenë e mashtrojnë, duke i matur me parametrat më jokredibil të mundshëm. Pra, nuk janë të zot as me klikimet dhe mashtrojnë e gënjejnë edhe për to.

Eshtë hera e fundit që PamPress i përgjigjet akuzave të një uebsajti të tillë partiak e jolegjitim, por këtë e bëjmë për shkak të shqetësimeve që kanë ngritur lexuesit tanë pas shpifjeve të tilla. Kërkojmë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që të reagojë ndaj Kadri Veselit personalisht për këto shpifje përmes uebsajtit Gazeta Express. /PamPress/