Wednesday, August 15

Përfundon panairi i librit, më të shiturit librat me kopertina të kuqe dhe të kaltërt

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ka përfunduar edhe panairi jubilar i 20’të i librit Prishtina 2018.

Shtëpitë botuese kanë njoftuar për interesim të shtuar për librin këtë vit, me ç’rast kanë filluar të publikojnë edhe statistika rreth shitjes së librave të tyre.

Nga statistikat preliminare u mësua se ndër librat më të shitur janë librat e Albatros Rexhajt dhe Veton Surroit, por një statistikë më e përgjithshme tregon se sivjet ka pasur blerje më të madhe të librave me kopertina të kuqe.

“Në shtëpinë tonë botuese kryesisht shiten libra me kopertina të kuqe, por pa domëthenie ideologjike. Këta libra janë blerë më së shumti. Pastaj vijnë librat me kopertina blu dhe të bardha”, është shprehur njëri nga përfaqësuesit e njërës nga shtëpitë botuese që ka zënë një kënd në këtë panair.

I njëjti ka dhënë edhe sqarimet e tij për këtë gjë. Ai ka thënë se librat me ngjyra të “dhezta” preferohen më shumë sepse janë më të përshtatshme për dhomat e fëmijëve.

“Zakonisht për dhoma të fëmijëve shkojnë shumë librat me kopertina me ngjyra të dhezta, sidomos kuq dhe të pemëve. Për sallone më shumë i blejnë librat që kanë kopertinë me ngjyrë të bardhë apo të zezë”, ka thënë tutje përfaqësuesi i shtëpisë botuese.

PamPress është në pritje të statistikave zyrtare në lidhje me shitjen gjatë panairit të këtij viti.

 

Share.