Monday, November 19

Pasi Kuvendi vendosi për ushtrinë, AKSH merr zemër dhe i shpall luftë Koresë Veriore

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

100 deputetë të Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë mbështetjen Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili i jep dritën jeshile transformimit të FSK’së në ushtri.

Ky ligj që përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së, si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, i ka lumturuar tej mase qytetarët e Republikës së Kosovës që tradicionalisht janë shquar për shpirtin e tyre ushtarak.

Madje, i njëjti edhe iu ka dhënë zemër atyre, që ende pa themeluar ushtrinë, të shprehin gatishmëri për t’u përballur me forca të jashtme.

Janë pjesëtarët e formacionit ushtarak inekzistent por gjithnjë mes nesh, Armata Kombëtare Shqiptare, që më të kaluar këtë ligj, i kanë shpallur luftë Koresë së Veriut.

“Tash kemi ushtri. AKSh tashmë ka infrastrukturën për ta mbrojtur kombin, që nuk pau ditë të bardha nga pushtetarët. Nga njerëz të tillë kombi nuk pret diçka më e mirë. Ata janë të dështuar politikisht e kombëtarisht. Konsiderojmë se vërtetë ka ardhur koha që AKSH të veprojë dhe nga sot i shpallim luftë Koresë së Veriut që ta kuptojnë kush jemi ne fqinjët tanë sllavo-maqedono-greko-karpatas”, thuhet në fund të komunikatës së nënshkruar nga emrat Albanik Shala a.k.a. Kaqamaku (udhëheqës politik i zonës nr.2) dhe Arbër Kastrioti a.k.a. Shqiponja Ilire.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë përgjigje nga koreanoveriorët.

*Ky lajm është satirik. Sqarimin po e bëjmë për shkak të numrit të shtuar të budallenjëve, që po ngulen vend e pa vend.

 

Share.