Saturday, October 20

Pas dekoratës nga Thaçi, Shyhrete Behluli kërkon shkëmbim këngësh me Shkurte Fejzën

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ideja e Hashim Thaçit për shkëmbim territores gjatë procesit të dialogut me Serbinë, duket se ka lënë përshtypje edhe jashtë politikës. Një gjë e tillë ka lënë gjurmë edhe në sferën muzikore, ku ka filluar të flitet mes estradës muzikore për shkëmbim këngësh.

Është Shyhrete Behluli, këngëtarja e cila mori medalje presidenciale nga Thaçi para ca ditësh, që ka propozuar shkëmbim këngësh me një prej kolegeve të saj më të hershme, Shkurte Fejza.

Siç marrin vesh burimet tona bilbilistike nga fshati Mushtisht i Suharekës, këngëtarja Behluli i ka propozuar këngëtares Fejza shkëmbim të disa këngëve. Në mesin e tyre, kuptohet se në tavolinë është edhe ideja për shkëmbimin e këngës “Dashnia e nanës” nga Behluli me këngën “Jo nuk ndahet Mitrovica” të Fejzës.

Për këtë, megjithatë thuhet se nuk është arritur kurrfarë marrëveshje. Kjo ngase këngëtarja Fejza mësohet se ka thënë se këgët “Jo nuk ndahet Mitrovica” dhe “Mora fjalë” për momentin janë të panegociueshme, marrë parasysh aktualitetin politik dhe zhvillimet e fundit në vend.

Në këtë shkëmbim është duke ndërmjetësuar edhe këngëtari Mahmut Ferati, i cili ka realizuar një seri duetesh me Behlulin.

PamPress ka tentuar të marrë deklarime nga të dyja palët, por nuk ka pasur një gatishmëri nga asnjëra palë për të shpalosur detaje.

Share.