Tuesday, December 18

Pacolli: Punova gjatë që Albin Kurti ta njoh Kosovën

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pikërisht kur të gjithë mendonin se diplomacia kosovare e udhëhequr nga Behgjet Pacolli do ta përmbyllte vitin vetëm me skandale humoristike nga korridoret njujorkeze, një rezultat ka ardhur nga puna e saj.

Sot, Kosovën, më në fund, e ka njohur edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili këtë e ka bërë duke e përkrahur kombëtaren e Kosovës në futboll në ndeshjen kundër Maltës.

“Sot, kudo, këtu, me ju, me ne, me ata, për Republikën e Kosovës, për Kosovën Repubikë,nga Hani i Elezit deri në Mitrovicën Jugore, na bashkon një qëllim, një flamur e një kombëtare: ajo e Kosovës, që sot mundi Maltën”, ka shkruar Kurti në faqen e tij në Facebook.

Padyshim, reagimet shpërthyen. Se mos ka për t’i dhuruar botës ndonjë zbulim shkencor a teknologjik ky popull! Jo, shpërthen me reagime në Facebook, siç bën zakonisht.

“Kurti pranon shtetin e Kosovës”, “Pas Spanjës dorëzohet edhe Albin Kurti”, ishin vetëm disa prej reagimeve të njerëzve e mediave, pas përkrahjes së Kurtit për lojtarët verdhëekaltër.

Megjithatë, Pampress për ju lexues të dashur sjell informacionet e vlefshme e të sakta lidhur me ngjarjen, që në portalet tjera konkurrente s’i gjeni. E kuptueshme, s’keni se si t’i gjeni, sepse me siguri as që kërkoni përtej titujve të tyre. E, edhe ato, as që ofrojnë më shumë përveç se titujve, të cilët edhe ashtu, të shkurtët e të vetmuar si janë, kanë përplot gabime e paqartësi.

Ju lexues të dashur që arritët deri në këtë paragraf, mos u ofendoni nga ai paraprak, sepse ju nuk jeni vetëm lexues titujsh. Shumica janë dorëzuar në paragrafin e dytë, me siguri, prandaj edhe s’mund të ofendohen nga ky sipër. Pra, jemi të gjithë të lumtur.

Kalojmë te tema. Pampress ka thirrur në telefon Behgjet Pacollin, të cilin e ka pyetur se si erdha puna që Kurti ta njoh Kosovën.

“Ishte punë e madhe lobuese. Përmes ndikimeve të mija, arrita që ta bindë Kurtin që t’i jap fund kësaj pune. Vërtetë angazhim diplomatik i paparë ndonjëherë.”

“Kam harxhuar nga xhepi im. Kam futur në dispozicion avionin privat, vetëm e vetëm që Kosovës t’i sigurojmë njohje”, ka thënë Pacolli.

Share.