Wednesday, February 20

Linda intervistohet nga Specialja, akuzohet për krime të rënda muzikore

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Siç pati njoftuar PamPress si mediumi më i lexuar në Ballkan, këngëtarja e mirënjohur Linda Morina është ndër personat e parë që ka pranuar ftesë nga Gjykata Speciale.

Madje, këngëtarja nga Llapi edhe u intervistua e para nga ky Tribunal.

Burimet tona të drejta kanë zbuluar se këngëtarja Morina u intervistua nga gjykatësit dhe prokurorët e Speciales në orët e mëngjesit të ditës së sotme në njërën nga çajtoret e Podujevës.

Morina, e njohur me këngët e saj të shumta, thuajse të gjitha me motive kombëtare, po akuzohet për krime të rënda muzikore. Nga kënget e saj pretendohet se janë dëmtuar veshët dhe mendjet e shumë shqiptarëve gjithandej Kosovës.

Nuk dihen ende se cilat janë procedurat me të cilat tash e tutje do të përballet Linda Morina. Ajo vazhdon të jetë e lirë. Por, nuk mungojnë dyshimet se për krimet e rënda muzikore ajo mund të paguajë me vite burgu.

Në anën tjetër, avokati Tom Gashi, ka thënë se nëse i kërgohet, ai mund ta marrë në mbrojtje këngëtaren. Madje ai ka thënë se i dëgjon me kënaqësi shumë këngë të saj.

PamPress do të iu mbajë të informuar jo vetëm për rastin “Linda”, por për secilin veprim të Speciales ditëve në vazhdim.

Share.