Tuesday, December 18

Jahjaga: Sonte kismet po e mundim Azerbajxhanin

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Duket se ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk po ia del të krijojë relacion të shëndoshë me futbollin. Ajo ia kishte huqur në ndeshjen Kosovë-Ishujt Faroe të cilën po e ndiqte nga stadiumi “Fadil Vokrri”, duke iu uruar sukses Kosovës ndaj Azerbajxhanit.

E, ky shtet që realisht ndodhet në grup me Kosovën e Ishujt Faroe dhe Maltë, është shndërruar në fiksim të ish-policës që evoluoi më pas në presidente.

Kur kanë mbetur pak orë para ndeshjes së pestë të Kosovës në Ligën e Kombeve që Kosova e luan kundër Maltës, Jahjaga prapë është ngatërruar duke menduar se edhe sonte loja zhvilohet me kombëtaren e Azerbajxhanit.

“Sonte kismet po e mundim Azerbajxhanin”, ka shkruar ajo.

Në fakt, Kosova deri më tani ka luajtur një ndeshje kundër Azerbajxhanit. Një të tillë do ta luajë edhe me 20 nëntor, por jo edhe sot.

Sipas rregullave të UEFA-s, në një grup ku ndodhen katër ekipe, një ekip zhvillon në total 6 ndeshje, nga dy me secilin ekip tjetër të grupit, njërën si vendas e tjetrën si mysafir.

Deri më tani, gjatë gjithë historisë së futbollit evropian e botëror nuk ka rastisur që një ekip të zhvillojë 6 ndeshje me njërin ekip të grupit dhe asnjë me dy të tjerat në grupet ku ndodhen katër ekipe.

Shpresojmë që Jahjaga deri në fund të këtyre garave ta mësojë këtë. Sidoqoftë, redaksia jonë i uron suksese Kosovës ndaj Azerbajxhanit me 20 nëntor. Por, paraprakisht zgjedhim ta urojmë sonte kundër Maltës.

Share.