Wednesday, February 21

Historia e pyetjes “A s’ki ma t’ima aa?” (Pjesa 1)

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Artikulli më poshtë është hulumtim i Kryeredaktorit tonë, i cili është njohësi më i mirë i botës dhe zhvillimeve të përditshme brenda saj, kurse i panjohur për botën zyrarisht e emër shumë i dashur i njohur realisht. Hulumtimi i mëposhtëm është produkt i një pune pesëvjeçare në arkivat e historisë shqiptare dhe jo vetëm. Kjo zgafellë do të jetë disa pjesëshe, numrin e të cilave nuk e di as vetë kryeredaktori. Lexojeni dhe iluminohuni me pjesën e parë!

Bota është një ishull i njerëzve të padijshëm, i injorantëve të vetëkënaqur, i idiotëve që mëngjes për mëngjes ia bëjnë qejfin njëri-tjetrit. Nga injoranca e cila vit pas viti është rritur në mesin e njërzimit, duke u përshkallëzuar në nivel alarmant, njerëzimi ka prodhuar idiotizëm të paparë e në sasi të jashtëzakonshme, aq sa ka qenë fare e pamundur që i tërë idiotizmi të përblidhet në ato që njerëzit i quajnë “libra”, e që realisht janë shumësi e fletëve të lidhura e të mbështjellura me kapakë, për të përbledhur fillimisht e për të izoluar më pas budallallëkun e qenies njerëzore.

Duke qenë e pamundur që i tërë idiotizmi njerëzor të libërzohet, një pjesë jo edhe e vogël e tij është bartur brez pas brezi gojarisht, duke e marrë trajtën e “fjalëve të urta” apo “thënie e të moçmit”, ose shpesh duke mos pasur autorësi, i është mveshur popullit – mendoj me plot të drejtë – pasi që njërzimi nuk dallon përkundër ndarjes në popuj, madje populli sikurse njerëzimi është strukturë tërsisht homogjene kur flasim për idiotizëm e budallallëk. Idiotizmi, më saktë përhapja aq e balancuar e proporcionale,  është vepra më e përkryer e njërzimit dhe barazia e vetme në nivel absolut, si dhe momenti i vetëm i solidarzimit të jashtëzakonshëm i njeriut me njeriun.

Në këtë mënyrë, në mesin e një populli, që kur nuk u mor vesh se cili ishte, sado që hulumtimet edhe sot nuk kanë të ndalur,  ka lindur edhe shprehja “nuk ka pyetje të gabuara”, me idenë që njeriu mund të pyes për gjithçka, kudo e kurdo, në të gjitha mënyrat. Rrjedhimisht, e drejta e të bërit pyetje konsiderohet si universale dhe pacenueshme, pavarësisht llojit të pyetjes, i cili nuk është i rëndësishëm, pasi që a priori pyetja ka kuptim çdoherë. E sipas kësaj logjike, njërëzit ia huqin vetëm në përgjigjet e tyre, duke harruar që përgjigjet s’do ekzistonin pa pyetjet. Megjithatë, njerëzimi që historikisht ka notuar në detin e injorancës pranon që pyetjet herë-herë të mbesin pa përgjigje, por ideja është që asnjeherë të mos kontestohet e drejta e të bërit pyetje.

Kësisoj, marinarët e idiotizmit që vendosen ta quajnë vetën “njerëz” në vazhdimësi i kanë bërë pyetje njëri-tjetrit, dhe asnjeherë nuk i kanë kërkuar llogari njëri-tjetrit për pyetjet e bëra. Edhe atëherë kur i kanë kërkuar, e kanë bërë këtë duke pyetur. Pra, kur Idioti 1 ka bërë një pyetje e Idiotit 2 i ka penguar pyetja, Idioti 2 duke kërkuar përgjegjësi nga Idioti 1, e ka pyetur atë “Pse po më pyet ti mua për këtë?” ose “Ku e more ti drejtën që me ba pyetje ti për këtë”. E Idioti 1, me qëndrimin e tij stoik e të palëkundur asnjëherë, i ka dhënë fund kësaj dileme duke u përgjigjur “E drejtë e jemja është me pyet, e jotja me u përgjigj nëse don” ose “Unë kam të drejtë me pyet çka të du e ti ke drejtë me vendos a don a s’don me u përgjigj”. Dhe është pikërisht ky dialog idiotësh, që në sytë e mi është monolog, i cili i ka dhënë fund problematikës së përjetshme të të bërit pyetje.

Sikurse shumë pyetje të pakuptimta që i ka krijuar njerëzimi duke lundruar në detin e idiotizmit, ka dalë në breg edhe pyetja “A s’ki ma t’ima aa?”, e cila sipas gjitha gjasave është vepër e një pjesëtari të komunitetit të kamarierëve. Kjo pyetje, fillimisht, ka lindur si nevojë për informim, dhe ka qenë edhe e formuluar më ndryshe. Si fillim kjo pyetje ka qenë në formën “A mos ki diçka ma t’ima?”, për të evoluar më pastaj në formën “A s’ki ma t’ima a?’, me ç’rast merr edhe konotacion qortues e hera herës edhe akuzues. Kurse, në ditët e sotme, kjo pyetje është në formën “A s’ki ma t’ima aa?”, pra pyetja ka përjetuar një dyfishim të germës “a” e cila është fare pa nevojë në fjali, por mbase me idenë për ta përforcuar pyetjen. Domethënë nga etja e madhe për të bërë pyetje, shtrohen pyetje të këtilla të dyfishta, ku a-ja pyetëse përdoret në fillim e në fund të fjalisë. E kur “a” bëhet “aa”, apo mbase në të ardhmen edhe “aaa” apo kushedi sa do të shumëfishohet, kemi të bëjmë me rritjen e nivelit të qortimit. Tek pyetja “A s’ki ma t’ima aa?”, niveli i qortimit është pak para se të t’rrah kamarieri, respektivisht, shumë pak para se “me hangër tabak fytyrës”.

(vijon)

  • Në pjesën e dytë do të lexoni se ku lindi kjo pyetje, kush është i dyshuari për pyetje, pse bëhet kjo pyetje, në cilat vende përdoret me shpesh e fakte të tjera.

 

 

Share.