Monday, November 19

“Fjalet janë të pakta për të përshkruar…” – fjalia me të cilën shqiptarët fillojnë urimet

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Fjalet janë të pakta për të përshkruar ty”, “Fjalet janë të pakta për të përshkruar dashurinë time për ty”, “Fjalet janë të pakta për të përshkruar emocionin që jep kjo ditë” etj., janë fjalitë të cilat fillojnë thuajse çdo urim të mbi 93% të shqiptarëve me rastin e ditëve të ndryshme të shënuara.

Duke uruar njëri-tjetrin për ditëlindje, fejesa, martesa e ngjarje tjera të rëndësishme për ta, shqiptarët ankohen për fjalorin shqip të varfër, pavarësisht se ky i fundit numëron rreth 40.000 fjalë, kurse 9 nga 10 shqiptarë nuk përdorin as 100 fjalë brenda 24 orëve.

Mbetet mister i pazbulueshëm se çfarë fjalë njëmend kanë shqiptarët në mendje kur duan të urojnë e për të cilat ankohen se nuk i gjejnë, apo ku i kanë parë ato fjalë, meqë ditkan për ekzistencën e tyre diku në botë, e nuk ekzistuakan në fjalorin shqip.

Për studiuesit e gjuhës, problemi nuk është fjalori i varfër shqip, por ata japin statistika që flasin për një problem me serioz të popullit tonë.

Sipas gjuhëtares Dëftore Kryefjala, 80% të shqiptarëve që vdesin në moshën 70 vjeçare, në 50 vitet e fundit nuk shfletojnë asnjë libër. 15% e tyre lexojnë mestarisht 3-4 libra në 5 dekadat e fundit të jetës. Ndërsa, vetëm 5% lexojnë libra që kapin numrat dyshifrorë përgjatë moshës 20-70 vjeç.

“Është e natyrshme që fjalët janë të pakta për të përshkruar diçka, kur për 50 vite nuk lexon as 800 fjalë të ndryshme”, shprehet zonja Kryefjala, e cila për një moment as vetë nuk gjente fjalë për ta përshkruar se sa e rëndë është kjo gjendje.

“Fjalet janë të pakta për të përshkruar…”, së fundi ka shkaktuar reagim edhe në mesin e stafit të Facebook’ut. Njerëzit e afërt të Mark Zuckerbergut kanë vërejtur mbipërdorimin e kësaj fjalie, për çfarë janë duke diskutuar ndryshime në algoritma, për ta bërë më pak të dukshme këtë fjali në rrjetin më të madh social.

Shpresojmë që deri atëherë shqiptarët të gjejnë fjalët e kërkuara.

 

 

 

 

Share.