Tuesday, December 18

Erëra të forta sot në Prishtinë, LDK: Fryma rugoviane po kthehet

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryqendra e Kosovës sot është përballur me erëra të fuqishme, të cilat për fat të mirë nuk kanë shkaktuar dëme të shumta.

Një gjë e tillë përveç se ka nxitur reagim nga emergjencat, është komentuar edhe nga një parti politike, në vokabularin e së cilës gjatë gjithë pasluftës vendin më të rëndësishëm e ka zënë fjala “frymë”, sinonim i “erërave”.

Bëhet fjalë për Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila historikisht thirret në “frymën rugoviane”, por që për ta, kjo gjë nuk prodhon efekte negative siç dinë të prodhojnë erërat apo fryma e fuqishme.

Nëndega e LDK-së në fshatin Turuçicë të Podujevës përmes një komunikate për media ka paralajmëruar se erërat e sotme në kryqytet janë dëshmi që po kthehet “fryma rugoviane”.

“Rugova po vjen, Rugoca po vjen. Ai është i gjallë. Fryma rugoviane po vjen”, përfundon komunikata e nëndegës së LDK-së në Turuçicë, fshat i njërit nga bastionet më të fuqishme të kësaj partie.

Sipas të dhënave të Institutit Meteorologjik, në Kosovë tradicionalisht rajoni që është shquar për erëra të fuqishme është komuna e Istogut, që për konsistencë të çuditshme është vendlindja e ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova – Të gjithëve nga mungon, e që dishepujt e tij vazhdojnë të thirren në “frymën e tij”.

Share.