Monday, November 19

Deklaratë e PamPress’it në lidhje me krizën në Vetëvendosje

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

PamPress është tashmë mediumi më i konsoliduar në vend. Me mbi 1 milionë klikime në ditë, duke lënë pas gjigantët Google e Facebook, PamPress është i pakonkurencë.

Me një staf prej 69 gazetarëve e redaktorëve profesionalë që gazetarinë e ushtron në shërbim të informimit të dy milionë qytetarëve të pafajshëm, PamPress është gjendur në pozicion të vështirë javëve të fundit për shkak të zhurmës së shkaktuar brenda një prej partive të skenës politike në Kosovë.

PamPress është duke pranuar vazhdimisht pyetje nga lexuesit. Pyetje të njëjta: Cilin grup të Vetëvendosjes e përkrahni?

Përballë këtij presioni dorëzohemi edhe ne dhe stafi redaktorial ka një përgjigje.

Si medium i pavarur, i papolitizuar, që nuk u shërben interesave të grupeve parapolitike e politike, PamPress situatën e sheh me gjakftohtësinë më të madhe, marrë parasysh edhe grupin 0 të gjakut të kryeredaktorit. Kjo lidhet edhe me temperaturat e ulëta të këtyre ditëve.

Tradicionalisht, prejse ekziston, portali më i besueshëm nuk është përzier në punët e brendshme të partive politike, e sidomos jo në punët e Vetëvendosjes. Këtë qasje PamPress do ta ruaj me xhelozi, duke e parë si proces të tejkalueshëm atë që po ndodh brenda partisë.

PamPress ka dëshmuar gjatë kësaj kohe paanshmëri radikale dhe nuk i është nënshtruar uniformitetit të mediave, të cilat prodhuan gjatë kësaj kohe mijëra lajme rreth një problemi partie. Kjo gjë përveç joprofesionalizmit të mediave ka vënë në pah një fakt të hidhur për konkurentët të cilët ekzistencën e kanë të lidhur me partitë, e në veçanti me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kjo, ndër të tjera shuan përfundimisht zërat e gërditshëm që jehonin gjithandej se ne jemi në shërbim të VV’së. Prandaj, lusim gjithë akuzuesit që të tërheqin akuzat në adresën tonë të bëra ndër vite.

Po ashtu, shfrytëzojmë rastin t’u kërkojmë mediave që të mbushen mend dhe të mos dëmtojnë tastierat duke gatuar në kuzhinat e tyre lajme vetëm për një parti.

Për fund, ne e kemi bërë të ditur se i përkrahim politikat social-demokrate, por kjo nuk do të thotë se ne detyrimisht përkrahim VV’në. Mos harroni edhe parti tjera social-demokrate, sikurse kemi edhe në rajon, pasi që stafi ynë ka përbërje gjithërajonale.

 

Share.