Tuesday, December 18

Bushi i ri falënderon shqiptarët për ngushëllimet: Deka babës ish e randë, por ju na lehtësuat

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sot për herë të fundit ka marrë frymë presidenti veteran (jo i rrejshëm) i ShBA’ve, George H.I.W. Bush, pas 94 viteve përvojë në kryerjen e procesit të frymëmarrjes.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i tij Jim McGrath, dhe me ta bërë këtë, shqiptarë të të gjith vendeve, moshave e gjinive u sulën me ngushëllime të shumta për familjen Bush. Kjo gjë nuk iku pa vëmendjen e popullit mik amerikan, e veçanërisht familjes Bush, të cilët pranuan ngushëllimet e sinqerta.

Madje familja Bush, falënderoi shqiptarët që i janë gjetur popullit amerikan afër në momentet me të vështira emocionale e politike.

Është Georg W. Bush, i cili pas vdekjes të së atit ka marrë primatin e zotit të shtëpisë së familjes Bush, ai i cili përmes një kundërtelegrami ka falënderuar shqiptarët. E, një reagim i tij erdhi pasi ai pau njërin nga ngushëllimet e shumta si koment në statusin e tij në Facebook, i shkruar nga një shqiptar i quajtur Lulzim Peci, koment që më herët ishte shkruar edhe si status në profilin e facebook’ut të këtij të fundit.

“Deka e babës ish e randë. Babë e nanë s’po t’u bojke kush. U preka shumë me humbjen e babait, por më prekën shumë edhe ngushëllimet e popullit të madh shqiptar me rastin e kësaj fatkeqësie familjare të Bushëve të Amerikës. Më prekën, por edhe më bën të fortë. Shqiptarët e dinë si është me qenë i fortë sepse ata historikisht kanë qenë konkurent të gurëve të kullave të tyre heroike. Populli shqiptar është i jashtëzakonshëm. Si nuk u lodh asnjëherë duke iu qëndruar në krah amerikanëve, në gëzim e hidhërim, err e terr. Janë mahnitës me vullnetin që ngushëllimet e tyre t’i shprehin kudo. Zoti iu shpërbleftë juve e ndeve, siç jeni lutur gjithnjë. Rrofshi sa malet e Gjeravicës”, ka shkruar Bushi i ri.

Miliona ngushëllime brenda dite kanë shkuar në redaksinë e familjes Bush. Mijëra të tilla po vazhdojnë të shprehëm edhe tani.

 

Share.